Chat with us, powered by LiveChat

Punësimi bazuar në Emigracion

Punonjësit me prioritet, si preferencë e parë për vizën “EB-1”

Avantazhi i kategorisë se preferencës të vizës “EB-1” është se aplikantët mund ta anashkalojë procesin e marrjes së certifikatës për punë, i cili zhvillohet nga Departamenti i Punës, dhe ta dorëzojnë kërkesën drejtpërdrejt tek USCIS-i [Shërbimet për Çështjet e Emigracionit dhe të Shtetësisë të SHBA-ve].

Kategoria “EB-1” (ku nuk kërkohet certifikatë pune) përfshin tri grupe: punonjësit me aftësi të jashtëzakonshme; profesorët dhe hulumtuesit e shkëlqyer; dhe menaxherët dhe drejtorët shumëkombësh.

Vizat “EB-1” për punonjësit me aftësi të jashtëzakonshme

Në nëngrupin e parë të kategorisë së punonjësve që kanë prioritet për vizën “EB-1”, nuk nevojitet oferta për punë. Kjo do të thotë se peticionin për vizë “EB-1” si punonjës me aftësi të jashtëzakonshme mund ta parashtrojë punëdhënësi ose vetë punonjësi. Në rast se kërkesën e parashtron vetë punonjësi, ai/ajo duhet të paraqesë dëshmi të kontratave ose marrëveshjeve paraprake për punësim në të ardhmen ose një përshkrim të mënyrës se si do të vazhdojë të jetë e punësuar në Shtetet e Bashkuara dhe të ketë të ardhura nga puna.

Në rregulloret e Shërbimet për Çështjet e Emigracionit dhe të Shtetësisë të SHBA-ve [U.S. CIS], aftësia e jashtëzakonshme përkufizohet si: “nivel ekspertize që tregon se individi është pjesë e një përqindjeje të vogël që ka arritur të jetë në majë të fushës së përpjekjeve.” Ky nivel i jashtëzakonshëm aftësish duhet të dëshmohet me anë të dokumenteve që tregojnë arritjet e tyre të qëndrueshme në nivel kombëtar ose ndërkombëtar ose me njohje në fushën e dhënë me anë të dokumentacionit të bollshëm. US CIS-i do të kërkojë prova për të vërtetuar se Shtetet e Bashkuara do të kenë përfitime të konsiderueshme nga puna që do të kryejë individi.

Për të demonstruar aftësinë e jashtëzakonshme, aplikanti duhet të tregojë se aftësia që ai ka është njohur në fushën e përpjekjeve përmes vlerësimeve të vazhdueshme. Kjo mund të arrihet përmes një arritjeje të vetme madhore, të njohur ndërkombëtarisht, siç është çmimi “Nobel”, çmimi “Pulitzer” ose “Academy Award”. Krahas kësaj, aplikanti mund të demonstrojë tri prej dhjetë kritereve:
Marrja e çmimeve ose shpërblimeve kombëtare ose ndërkombëtare për rezultate të shkëlqyera në fushën e tij/saj të përpjekjeve;

Anëtarësi në shoqata hulumtuese, të cilat kërkojnë që anëtarët e tyre të kenë arritje të mëdha, sipas gjykimit të ekspertëve kombëtarë ose ndërkombëtarë;
Materiale të publikuara lidhur me të huajin dhe punën e tij në revista profesionale, publikime në revista ose gazeta profesionale ose në mediat kryesore;
Pjesëmarrje, qoftë në grup ose individualisht, si korrigjues i personave të tjerë në të njëjtën fushë ose në një fushë të ngjashme;
Kontributet origjinale shkencore, akademike ose artistike me rëndësi madhore në fushën e studimeve.
Autorësi e artikujve shkencor në fushën përkatëse, të publikuar në revista profesionale ose mediat kryesore;
Ekspozimi i punës së të huajit në ekspozita artistike ose vitrina në më shumë sesa një vend;
Performanca në një rol kryesor, protagonist ose kritik për organizatat që kanë reputacion të shquar;
Pasja e një page të lartë në krahasim me personat e tjerë në të njëjtën fushë;
Suksesi komercial në performimin e arteve, të dëshmuar me të ardhurat nga shitja e biletave.

Duke qenë se këto dhjetë kategori provash nuk përfshijnë të gjitha provat që mund të paraqiten për të vërtetuar aftësinë e jashtëzakonshme, US CIS-i lejon edhe ofrimin e ndonjë prove tjetër të ngjashme.

Viza “EB-1” për profesorët dhe hulumtuesit e shkëlqyer:

Ky nëngrup i dytë i kategorisë së punonjësve që kanë prioritet për vizën “EB-1” është për profesorët dhe hulumtuesit të cilët njihen në nivel ndërkombëtar për arritjet e tyre të mëdha. Në këtë kategori, edhe pse punonjësi duhet të ketë një ofertë pune, nuk kërkohet certifikimi nga Departamenti i Punës.

Kriteret për këtë kategori janë si më poshtë:
Njohje ndërkombëtare si punonjës i shkëlqyer në një fushë specifike akademike;
Të paktën tre vjet përvojë në mësimdhënie ose hulumtim në fushë – përvoja e mësimdhënies ose hulumtimit mund të fitohet gjatë ndjekjes së studimeve të thelluara, por vetëm nëse i huaji ka pasur përgjegjësi të plotë për kurset që ka dhënë mësim, ose nëse hulumtimi njihet si i shkëlqyer; dhe ofertën e punësimit.
Oferta e punësimit duhet të jetë: 1. pozicion të përhershëm mësimdhënieje ose pozicion për të cilin garantohet marrja parasysh për dhënie të pozicionit të përhershëm në mësimdhënie; ose
2. pozicion i ngjashëm si kërkues në një universitet ose institut të arsimit të lartë; ose
3. pozicion si hulumtues në ndonjë kompani private, nëse punëdhënësi ka të paktën tre hulumtues që punojnë me orar të plotë dhe ka dokumentuar arritjet e hulumtimit në fushën e dhënë.

Pozicioni i ofruar duhet të jetë i përhershëm, domethënë për një afat të pacaktuar, me pritshmëri për vazhdim të marrëdhënies së punës. Ndryshe nga aplikantët e kategorisë së punonjësve me aftësi të jashtëzakonshme, aplikantët si profesorë ose hulumtues të shkëlqyer duhet të kenë patjetër një ofertë pune.

Megjithatë, sikurse ndodh me të gjitha kërkesat e punonjësve me prioritet si preferencë e parë, nuk kërkohet certifikimi nga Departamenti i Punës.

Profesori ose hulumtuesi i shkëlqyer duhet të dëshmojë dy nga kriteret e mëposhtme:
Pranimin e një çmimi ose shpërblimi madhor për arritje të mëdha në fushën akademike;
Anëtarësinë në shoqata që kërkojnë që anëtarët e tyre të kenë arritje të shkëlqyera;
Materiale të publikuara në botime profesionale, të shkruara nga të tjerët lidhur me punën e aplikantit;
Pjesëmarrja si gjykues i punës së punonjësve të tjerë në fushën përkatëse;
Kontribute origjinale shkencore ose akademike në fushën përkatëse;
Autorësi e librave akademikë ose artikujve në revista që kanë qarkullim ndërkombëtar.

Vizat “EB-1” për drejtuesit dhe menaxherët multietnik /multinacional

Drejtuesit dhe menaxherët shumëkombësh përjashtohen nga kërkesa për certifikim nga Departamenti i Punës.

Për t’u pranuar si emigrant, drejtori ose menaxheri shumëkombësh duhet të ketë qenë i punësuar në cilësinë e menaxherit ose drejtuesit për të paktën një vit gjatë tri viteve të kaluara. Marrëdhënia e punës duhet të ketë qenë me të njëjtin punëdhënës, degë, kompani amë ose filial. Marrëdhënia e punës nuk ka nevojë të jetë kryer njëherësh, pa ndërprerë, por mund të grumbullohet pjesë-pjesë nga këto tri vite. Punëdhënësi që parashtron kërkesën duhet të ketë kryer aktivitete afariste në Shtetet e Bashkuara për të paktën një vit.
Për t’u kualifikuar si drejtues, aplikanti duhet:

1. Të drejtojë menaxhimin e organizatës ose një njësi apo funksion kyç të organizatës;
2. Të caktojë qëllimet dhe politikat e organizatës, përbërësit ose funksionit;
3. Të ushtrojë një shkallë të lartë lirie në vendimmarrje; dhe
4. Të marrë vetëm mbikëqyrje të përgjithshme nga drejtuesit e niveleve më të larta, bordi i drejtorëve ose aksionarët e organizatës.

Për t’u kualifikuar si menaxher, aplikanti duhet:

1. Të menaxhojë organizatën ose një departament, nëndivizion, funksion, ose përbërës të organizatës;
2. Të mbikëqyrë dhe kontrollojë punën e punonjësve të tjerë mbikëqyrës, profesionalë dhe manaxherialë, ose të menaxhojë një funksion thelbësor brenda organizatës, ose një departament apo nëndivizion të organizatës;
3. Të ketë kompetencën të punësojë dhe pushojë nga puna punonjësit që mbikëqyren, ose t’i rekomandojë për ngritje në detyrë ose veprime të tjera që kanë të bëjnë me personelin, ose (nëse nuk ka të mbikëqyrur të drejtpërdrejtë) të funksionojë në nivel të lartë brenda hierarkisë së organizatës; dhe
4. Të kryejë drejtimin e operacioneve të përditshme të aktivitetit ose funksionit mbi të cilin punonjësi ka kompetencë.

Vizat “EB-2” për profesionistë me grada të avancuara dhe për punonjës me aftësi të veçanta

Kategoria e preferencave për vizat “EB-2” zbatohet për dy lloje punonjësish:

1. Punonjësit duhet të jenë ushtrues të profesioneve për të cilat kërkohen diploma të nivelit të lartë (ose të barasvlershme), dhe
2. Punëtorët me aftësi të veçanta në shkencë, art, ose biznesi, prej të cilëve do të përfitojnë në mënyrë të konsiderueshme në të ardhmen ekonomia kombëtare, kultura ose arsimi, ose mirëqenia e Shteteve të Bashkuara. Për këtë kërkohet certifikata e punës, me përjashtim të disa rasteve ku vlen “Privilegji i interesit kombëtar” [National Interest Waiver] (në kuadrin e kategorisë së vizave “EB-2”).

Vizat “EB-2” për profesionistët me grada të avancuara:

Aplikanti për vizën “EB-2” duhet të paraqesë kërkesë për një vend pune në të cilën kërkohet gradë e avancuar. Individi duhet të ketë një diplomë të studimeve të larta (diplomë “master” ose më të lartë) ose diplomë “bachelor” plus pesë vjet përvojë progresive në fushë, si kompensim për mospasjen e diplomës së studimeve të larta.

Vizat “EB-2” për punonjësit me aftësi të veçanta në shkencë, art ose biznes:

Aplikanti për vizën “EB-2” duhet të vërtetojë se ka aftësi të veçanta në fushën e artit, shkencës dhe biznesit. Edhe pse aftësia e veçantë kufizohet te të huajt në fushën e artit, shkencës dhe biznesit, Shërbimet për Çështjet e Emigracionit dhe të Shtetësisë të SHBA-ve e konsiderojnë atletikën si art për qëllime të klasifikimit në kategorinë e vizave “EB-2”. Për qëllime të klasifikimit në kategorinë e vizave “EB-2”, aplikanti duhet të demonstrojë tri nga gjashtë llojet e provave për të vërtetuar aftësinë e veçantë:
1. Licencën për ushtrimin ose certifikatën, nëse kërkohet për profesionin;
2. Për personat me studime të avancuara dhe që aplikojnë për vizë “EB-2”, certifikatën zyrtare për diplomën e studimeve, e cila është lëshuar nga kolegji, universiteti ose ndonjë institucion tjetër arsimor, në lidhje me fushën në të cilën i huaji pretendon se ka aftësi të veçantë;
3. Për personat me studime të aftësi të veçantë dhe që aplikojnë për vizë “EB-2”, dëshmi për dhjetë vjet përvojë pune me kohë të plotë në fushën në të cilën kërkon të punësohet (zakonisht në formën e shkresave nga punëdhënësit e mëparshëm);
4. Për rastet e aplikantëve me aftësi të veçanta, dëshminë e pagës së lartë ose të ndonjë forme pagese që tregon aftësinë e veçantë;
5. Për rastet e aplikantëve me aftësi të veçanta, dëshminë e anëtarësisë në shoqata profesionale; dhe, për rastet e aplikantëve me aftësi të veçanta, dëshminë e njohjes, nga ana e kolegëve ose shoqatave profesionale, të arritjeve dhe kontributeve të tij/saj në fushë.

“Privilegji i interesit kombëtar” për vizat “EB-2” për profesionistët me grada të avancuara ose për punonjësit me aftësi të veçanta në shkencë, art ose biznes:

Për vizën “EB-2” kërkohet certifikata e punës nga punëdhënësi që paraqet peticionin, përveç nëse sigurohet “Privilegji i interesit kombëtar”. Për të siguruar “Privilegjin e interesit kombëtar” [National Interest Waiver], aplikanti duhet të tregojë se miratimi i peticionit për vizë “EB-2” është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Ekzistojnë dy lloje aplikimesh për “Privilegj të interesit kombëtar”. Mjekët përbëjnë njërën kategori, ndërsa kategoria tjetër përfshin të gjitha rastet e tjera. Zyra për Ankesa Administrative [Administrative Appeals Office] ka themeluar shtatë faktorë kryesorë të cilët vlerësohen me qëllim përcaktimin e asaj nëse një punë e caktuar paraqet apo jo interes kombëtar.

1. Përmirësimi i ekonomisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës;
2. Përmirësimi i pagave dhe kushteve të punës për punëtorët amerikanë;
3. Përmirësimi i programeve arsimore dhe trajnuese për fëmijët dhe punëtorët e nënkualifikuar në Shtetet e Bashkuara;
4. Përmirësimi i kujdesit shëndetësor;
5. Ofrimi i strehimit më ekonomik për banorët amerikanë të rinj, të moshuar, ose të varfër;
6. Përmirësimi i mjedisit në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimi më produktiv i burimeve kombëtare; dhe
7. Kërkesa për pranim paraqitet nga një agjenci qeveritare amerikane e interesuar.

Krahas këtyre, Zyra për Ankesa Administrative është përqendruar së fundmi në këta tre faktorë:

1. Punonjësi kërkon punësim në fushën e “meritës thelbësore”
2. Përfitimi i propozuar që punonjësi do të ofrojë është “me spektër kombëtar” dhe
3. Interesi kombëtar që do të cenohen negativisht nëse kërkohet certifikatë pune.

Për t’u kualifikuar për “Privilegj të interesit kombëtar”, një mjek i huaj duhet:

1. Të bjerë dakord të punojë me kohë të plotë në një klinikë për pesë vjet, përveç nëse peticioni për vizë emigrimi është parashtruar përpara datës 1 nëntor 1998, rast në të cilin periudha e kërkuar e shërbimit është 3 vjet;
2. Të punojë në njërin prej këtyre specialiteteve mjekësore: mjekësi familjare ose të përgjithshme, pediatri, mjekësi e përgjithshme interne, obstetrikë/gjinekologji, dhe psikiatri;
3. Të shërbejë në Zonën e Mungesës së Profesionistëve të Shëndetësisë (HPSA–Health Professional Shortage Area), Zonën e Profesionistëve të Shëndetit Mendor (MHPSA–vetëm për psikiatërit), Zona me Shërbime të Pamjaftueshme Mjekësore (MUA–Medically Underserved Area), ose në ndonjë institucion për Çështjet e Veteranëve; dhe
4. Të marrë një vendim nga një agjenci federale ose departamenti shtetëror i shëndetit që ka njohuri për kualifikimet e mjekut, ku të thuhet se puna e mjekut është në interes publik.

Mjeku mund të aplikojë për rregullimin e statusit dhe të marrë autorizim për punë, megjithatë USCIS-i nuk do të marrë vendim përfundimtar lidhur me rregullimin e aplikimit për statusin për mjekun që ndjek peticionin për “Privilegj të interesit kombëtar”, deri kur ky mjek të ketë ushtruar aktivitetin e tij me kohë të plotë në një zonë me shërbime të pamjaftueshme mjekësore për një periudhë totale prej të paktën pesë ose tri vjeçare, në varësi të kohës kur është parashtruar aplikimi.

Vizat “EB-3” për preferencën e tretë të punësimit: punëtorët e kualifikuar, profesionistët dhe punëtorët e tjerë

Për kategorinë e vizës “EB-3”, punëtorët klasifikohen në tri kategori:
Profesionistë;
Punëtorë të kualifikuar; dhe
Punëtorët e tjerë.

Punëtorët profesionistë përkufizohen si individë të cilët posedojnë diplomën “bachelor” dhe që hyjnë në një punë ku, për nivelin fillestar, kërkohet diplomë “bachelor”.

Punëtorët e kualifikuar janë punëtorët që hyjnë në vende pune ku, për nivelin fillestar, kërkohet të paktën dy vjet trajnim ose përvojë. Punëtorët e tjerë janë ata që hyjnë në vende pune ku kërkohen më pak sesa dy vjet aftësim ose përvojë.

Shpeshherë në kategorinë e vizave “EB-3”, ka një vëllim të madh kërkesash të pashqyrtuara. Në kategorinë e vizave “EB-3”, për të gjitha vendet e punës kërkohet që aplikanti të ketë një ofertë pune dhe të kalojë në procesin e certifikimit për punë.

Vizat “EB-4” për preferencën e katërt të punësimit: punëtorët fetarë

Kategoria e vizave “EB-4” është për “emigrantë të veçantë”. Punëtorët fetarë duhet të sigurojnë qëndrim të përhershëm përmes marrëdhënies së punës. Ekziston një limit prej 5.000 vizash në vit, të cilat iu vihen në dispozicion punëtorëve fetarë.
Punëtori fetar, sipas kategorisë “EB-4”, duhet të jetë:

1. Ministër (klerik);
2. Person që punon si profesionist në një profesion ose zanat fetar; ose
3. Person që punon për një organizatë fetare ose filial si profesionist fetar, dhe që ka qenë anëtar i një grupi fetar për të paktën dy vitet që i paraprijnë menjëherë parashtrimit të aplikimit; dhe
4. Individi duhet të vijë për të punuar për një organizatë fetare të liruar nga taksat dhe që punon në mirëbesim.

Krahas këtyre, aplikanti duhet të ketë punuar për organizatën fetare për të paktën dy vjet përpara parashtrimit të aplikimit. Punën mund ta ketë kryer në Shtetet e Bashkuara ose në një vend të huaj.

“Sekti fetar” përkufizohet si grup fetar që ka njëfarë forme të deklaruar të besimit të organizuar, një sistem të përbashkët besimi dhe një strukturë drejtuese klerike të ngjashme. Grupet e anëtarësuara duhet të kenë një tërësi të përbashkët udhëzimesh fetare, të kryejnë ceremonitë e tyre fetare në mënyra të ngjashme, të përdorin të njëjtën tërësi materialesh shërbese, siç janë librat e psalmeve ose udhëzuesit e kryerjes së adhurimeve, dhe të organizojnë kongregacione.

Profesioni fetar është një aktivitet që ka të bëjë me “funksione tradicionale fetare”. Këtu do të bënin pjesë këshilltarët fetarë, drejtuesit e koreve, shërbyesit dhe punëtorët liturgjikë, punonjësit e spitaleve fetare dhe kujdesit shëndetësor fetar, misionarët, përkthyesit fetarë dhe transmetuesit. Këtu nuk përfshihen individët që punojnë për sektin në cilësi jofetare.

Këtu do të përfshihej gjithashtu kushdo që ushtron një profesion fetar, domethënë dikush që është i frymëzuar për të marrë pjesë në jetën dhe shërbimet fetare. Kjo duhet të vërtetohet përmes angazhimit të dëshmuar ndaj sektit, betimeve dhe llojeve të tjera të angazhimeve jetësore. Këtu do të përfshiheshin murgeshat, murgjit, vëllezërit në fe dhe dhjakët.

Që të konsiderohet si organizatë fetare e kualifikueshme, punëtori fetar duhet të punojë për një “organizatë fetare, jofitimprurëse që punon në mirëbesim” ose “një organizatë, që punon në mirëbesim dhe që është e lidhur me një sekt fetar”. “Organizata fetare, jofitimprurëse që punon në mirëbesim” përshkruhet në rregulloret e USCIS-it si organizatë që, sipas Kodit për të Ardhurat e Brendshme, do të përjashtohej nga taksat.

Zyra qendrore:

Kontaktet: LawAPJ 65 Broadway, Suite 1603 NY 10006 New York TEL: +1 212 693-3355 / FAX: +1 212 430-6797 / E-MAIL: apjlaw@gmail.com

Thirrja telefonike:

Ju lutemi plotësoni këtë pyetësor të shkurtër dhe mund të jeni i sigurt se të gjitha informatat do të mbahen konfidenciale. Pyetësori mund të dërgohet me e-mail ose faks elektronik ose me faks +1 (212) 430-6797

Konsultimi personal:

Për konsulencë, ju lutemi telefononi zyrën tonë brenda orarit të punës. +1 (212) 693-3355