Chat with us, powered by LiveChat

Vizat e biznesit

Kategoria e vizave “B”

Viza “B” është viza më e përdorur për qëllime joemigruese. Ka dy lloje vizash “B”: vizat “B-1” për vizitorët afaristë dhe vizat “B-2” për dëshirë

Kategoria e vizave “B-1” për vizitorë afaristë

Kategoria e vizave “B-1” për vizitorë afaristë iu vihet në dispozicion aplikantëve që mund të vërtetojnë se:
1. nuk kanë qëllim ta braktisin qëndrimin e tyre jashtë vendit, dhe
2. i vizitojnë Shtetet e Bashkuara përkohësisht për qëllime afariste.

Viza “B-1” shpeshherë mund të zgjatet deri në një vit, por pjesa më e madhe e pranimeve për vizë “B-1” miratohen vetëm për periudhën e nevojshme për realizimin e qëllimit afarist. Thënë ndryshe, aplikantëve të vizës “B-1” zakonisht u jepen 3 deri në 6 muaj kohë, por mund t’iu jepen edhe 6 muaj të tjerë kohë pas plotësimit të saktë të kërkesës për zgjatje të afatit.

Pas hyrjes në Shtetet e Bashkuara, vizitorët afaristë kufizohen vetëm në ato aktivitete për të cilat kanë leje të angazhohen. Bartësit e vizës “B-1” nuk duhet të merren me punësim produktiv në Shtetet e Bashkuara dhe çdo punë që kryhet në Shtetet e Bashkuara duhet të kryhet në emër të një punëdhënësi të huaj dhe të paguhet nga ana e punëdhënësit të huaj.
Klientët që janë të interesuar për vizat për investitorë mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara duke përdorur një vizë “B-1”, nëse shitësi ose kompania e investimit, me seli në Shtetet e Bashkuara, lëshon një ftesë të përshtatshme.

Kategoria e vizave “B-2” për vizitorët që vijnë për dëshirë

Viza “B-2” përdoret kryesisht për turistët (megjithatë, viza “B-2” mbulon edhe qëllime të tilla si: vizita e të afërmve ose miqve, vizitat për qëllime shëndetësore, pjesëmarrje në konferenca, pjesëmarrje në kurse studimore të shkurtra ose ndihmëse dhe pjesëmarrje në performanca artistike nga amatorë dhe evenimentet e zbavitjes). Aplikanti për vizën “B-2” duhet të provojë se ka lidhje të mjaftueshme në vendin e tij dhe të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qëndrimin në Shtetet e Bashkuara, si dhe një banesë në vendin e tyre të cilën nuk do ta braktisin. Bashkëshortët ose bashkëshortet dhe fëmijët duhet të aplikojnë në mënyrë të veçuar, dhe koha për të cilën jepet viza zakonisht është 6 muaj, por ekziston mundësia që të zgjatet edhe për 6 muaj të tjerë.

Në përgjithësi, mundësitë që ka aplikanti për të marrë vizën rriten nëse udhëtimi i planifikuar është i shkurtër dhe itinerari prezantohet qartë; nëse aplikanti mund të vërtetojë me lehtësi se i ka paratë për të paguar udhëtimin dhe se aplikanti ka një punë në vendin e tij dhe mund të vërtetojë se periudha kohore që do të kalojë jashtë vendit është miratuar nga punëdhënësi. Pensionistët do të kenë mundësi më të mëdha për ta marrë vizën nëse mund të vërtetojnë se kanë lidhje të fuqishme familjare dhe ekonomike me vendin e origjinës dhe burime financiare për të përballuar udhëtimin. Sigurisht, në të gjitha rastet vendi i origjinës luan një rol të madh. Sa më e ulët të jetë norma e tejqëndrimit me vizë të shtetasve të një vendi të caktuar, aq më të larta janë mundësitë e përgjithshme që aplikimi do të miratohet.

Bartësit e vizës “B” mund ta ndryshojnë statusin e tyre pas hyrjes së tyre në Shtetet e Bashkuara, por çdo ndryshim brenda 30 ditësh nga data e hyrjes në Shtetet e Bashkuara mund të interpretohet nga USCIS-i se këta bartës kanë pasur për qëllim ta çorientojnë USCIS-in gjatë kohës kur hynë në vend.

Vizat “E-1/E-2” për tregtarë sipas traktateve / për investitorë

Studioja jonë ligjore udhëton në vende të ndryshme të botës për të prezantuar konferencën me titull “Të investosh dhe të jetosh në Shtetet e Bashkuara” (Investing and Living in the United States). Këto konferenca organizohen për grupet dhe shoqatat afariste të cilave iu japim udhëzime specifike lidhur me procesin e aplikimeve për vizë “E-1”, “E-2” dhe “EB-5”.

Investitori mund të krijojë një biznes të ri ose të blejë një biznes ekzistues në Shtetet e Bashkuara me një investim minimal prej rreth 75.000 dollarësh dhe investitori (dhe familja e tij) mund të jetojë në Shtetet e Bashkuara për aq kohë sa është aktiv biznesi. Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë traktate me vende të tjera, me të cilat synohet të nxitet tregtia dhe investimet midis Shteteve të Bashkuara dhe vendit që nënshkruan traktatin.

Vizat e kategorisë “E” janë dy llojeshe: viza “E-1” për tregtarë sipas traktateve, e cila rezervohet për kompanitë që tregtojnë mallra dhe shërbime me Shtetet e Bashkuara, dhe viza “E-2” për investitorë, e cila shërben për individë ose sipërmarrje që investojnë një sasi të konsiderueshme fondesh në Shtetet e Bashkuara me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës në të ardhmen.

Viza “E” mund të përdoret nga kompani me një investitor të vetëm si dhe nga kompani të mëdha shumëkombëshe. Krahas kësaj, menjëherë pas miratimit të vizës “E”, ajo i vihet në dispozicion edhe anëtarëve të personelit kyç të huaj, të cilit do të punojnë për kompaninë bartëse të vizës “E” si punëtorë specialistë. Kjo vizë ka vlefshmëri të pakufishme (për aq kohë sa aplikanti i mirëmban investimet ose kryen tregti) dhe në përgjithësi mund të rinovohet çdo 2 ose 5 vjet. Për t’u kualifikuar për statusin “E-1” ose “E-2”, Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një traktat me vendin e shtetasit të huaj.

Viza “E-1” për tregtarë sipas traktateve

Klasifikimi për “E-1” është i disponueshëm atëherë kur kryesisht midis Shteteve të Bashkuara dhe vendit të shtetasit të huaj zhvillohet tregti e konsiderueshme. Tregtia duhet të përfshijë shkëmbimet ndërkombëtare të artikujve midis Shteteve të Bashkuara dhe vendit që është palë në traktat.

Për marrjen e vizës “E-1”, midis Shteteve të Bashkuara dhe vendit që është palë në traktat duhet të ketë tregti të konsiderueshme. Pjesa më e madhe e tregtisë që kryhet nga bartësi i vizës “E-1” duhet të jetë midis Shteteve të Bashkuara dhe vendit që është palë në traktat dhe atdhe i shtetasit të bart vizën “E-1”. Punëdhënësi i huaj që bart vizën “E-1” duhet të jetë sipërmarrje ose organizatë nën pronësinë e personave që kanë kombësinë e vendit që është palë në traktat (bartësi i vizës “E-1” duhet të ketë nën pronësi të paktën 50% të kompanisë). Krahas kësaj, nëse aplikanti nuk është tregtari kryesor, atëherë i huaji duhet të punësohet në cilësinë e mbikëqyrësit ose drejtues, ose të posedojë kualifikime speciale që i bëjnë shërbimet e të huajit thelbësore për funksionimin e suksesshëm dhe efikas të sipërmarrjes. Së fundi, punonjësi duhet të ketë të njëjtën kombësi sikurse pronari që bart vizën “E-1”

Vizat “E-2” për investime

Viza “E-2” është për investitorë, punonjës, drejtues, mbikëqyrës dhe punonjës kyçë. Si investitor, aplikanti me kombësi të huaj duhet të blejë një biznes/sipërmarrje ekzistuese, të investojë në një biznes/sipërmarrje ekzistuese ose të investojë për një biznes/sipërmarrje të re. Nuk ka kufizime lidhur me llojin e biznesit për sa kohë që nuk konsiderohet si biznes pasiv, si p.sh. bursë, bono, tokë, etj.

Aplikanti për vizën “E-2” duhet të ketë nën pronësi të paktën 50% të biznesit dhe të investojë një shumë “të konsiderueshme” kapitali në këtë investim. Për t’u kualifikuar për vizën “E-2” për investitorë, aplikanti duhet të zhvillojë dhe drejtojë operacionet e një sipërmarrjeje në të cilën ai ka investuar ose po investon aktivisht një sasi të konsiderueshme kapitali. Aplikanti duhet të jetë shtetas i huaj i një vendi që ka nënshkruar traktat kualifikues me Shtetet e Bashkuara.

Kërkesa për vizën “E-2” për investime mund të dorëzohet drejtpërdrejt në konsullatën ose ambasadën e aplikantit, pa miratimin paraprak të US CIS-it, ose mund të dorëzohet ndërkohë që aplikanti është në Shtetet e Bashkuara. Viza “E-2” mund të miratohet brenda pak javësh nëse aplikanti e dorëzon kërkesën për përpunim “premium” në Shtetet e Bashkuara. Bashkëshorti ose bashkëshortja e bartësit ose bartëses së vizës “E-2” ka të drejtë për kartë të autorizimit të punësimit, e cila i mundëson atij/saj të punojë në Shtetet e Bashkuara në rrugë të ligjshme. Viza E-2 zakonisht zgjatet çdo pesë vjet. Kjo vizë mund të zgjatet pafund për aq kohë sa biznesi funksionon.

Punonjësi i investitorit që bart vizën “E-2”

Punonjësi duhet të ketë të njëjtën kombësi sikurse investitori që bart vizën “E-2”. Nëse aplikanti nuk është investitori kryesor, ai duhet të punësohet në cilësinë e drejtuesit ose mbikëqyrësit, ose të ketë kualifikime që janë tepër të specializuara dhe thelbësore për operacionet e sipërmarrjes tregtare.

Vizat “E-3” për punë – vetëm për shtetasit australianë

Vetëm qytetarët e Australisë kanë të drejtë të aplikojnë për vizë “E-3”. Bartësit e vizës “E-3” hyjnë në Shtetet e Bashkuara përkohësisht për të kryer shërbime në një “profesion të specializuar”. Viza “E-3” iu mundëson shtetasve australianë të shmangin çështjet e limitit të vizave “H-1B”. Megjithatë, limiti vjetor i kësaj vize është 10.500. Profesioni i specializuar klasifikohet në kategorinë “H-1B”. Vizat “E-3” kanë vlefshmëri 2 vjeçare, por mund të rinovohen pafundësisht. Bashkëshortët ose bashkëshortet (në mënyrë të ngjashme me vizat “E” dhe “L”) mund të marrin autorizim për punë.

Viza “H-1B”

Deri më sot, në çdo vit fiskal, në dispozicion ka të paktën 65.000 viza “H-1B”, të cilave iu shtohen 20.000 të tjera, të cilat janë në dispozicion të aplikantëve që kanë diplomë “master” të kryer në Shtetet e Bashkuara. (Ekzistojnë disa punë në organizatat jofitimprurëse, organizatat qeveritare dhe në sektorin e arsimit, të cilat janë të përjashtuara nga limiti i vitit fiskal.) Aplikanti duhet të ketë një diplomë “bachelor” 4-vjeçare ose 3 vjet përvojë në fushën e specializimit për çdo vit për të cilin aplikanti nuk ka arsim kolegji. Për shembull, nëse aplikanti ka dy vjet shkollim në kolegj dhe 6 vjet përvojë pune në fushën e specializimit, aplikanti kualifikohet me kusht që titulli i punës të jetë në harmoni me përvojën e aplikantit. Profesionet e specialitetit duhet të përbëhen nga zbatimi teorik dhe praktik i një tërësie njohurish tepër të specializuara dhe nga kryerja e arsimit të nivelit “bachelor” ose më të lartë në specialitetin specifik (ose të nivelit të barasvlershëm) si kërkesë minimale për të hyrë në profesion. Pozicionet e zakonshme në këtë kategori përfshijnë profesionet në fushën e drejtësisë, inxhinierisë, arkitekturës, matematikës, shkencave fizike, specialitetet e biznesit, teologjia dhe artet.

Punëdhënësi mund të parashtrojë një kërkesë për vizë “H-1B” 180 ditë përpara datës së fillimit. Aplikantët që kërkojnë t’iu ndryshohet, zgjatet ose transferohet viza e tyre aktuale “H-1B” nuk i nënshtrohen këtij limiti.

Bartësit të vizës “H-1B” i lejohet të ketë qëllim të dyfishtë (d.m.th. i lejohet të ketë për qëllim që të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të përhershme). Viza “H-1B” mund të jepet për një periudhë deri në 6 vjet, dhe nëse kalon një vit ndërkohë që aplikanti është jashtë Shteteve të Bashkuara, aplikantit mund t’i jepet edhe një periudhë tjetër 6-vjeçare për vizën “H-1B”.
Nëse bartësi i vizës “H-1B” ka aplikuar për qëndrim të përhershëm përmes marrëdhënies së punës, atëherë ai mund ta zgjasë afatin e vizës “H-1B” me hapa një-vjeçarë nëse:
ka kaluar një (365 ditë) ose më shumë vite që prej datës së parashtrimit të certifikatës së punës (procesi i sigurimit të certifikatës së punës), ose
kanë kaluar 365 ose më shumë ditë që prej datës së parashtrimit të peticionit për vizë emigrimi “I-140”

“Mobiliteti “H-1B”” nënkupton që punëtori që ka vizë “H-1B” mund të fillojë të punojë për një punëdhënës të ri, pas dorëzimit të aplikimit të ri për vizë “H-1B” (atij nuk i duhet të presë për miratim).

Vizat “H-2A” për qëllime bujqësore

Viza “H-2A” për qëllime bujqësore është vizë e përkohshme për aplikantët që vijnë për të punuar në punë ose shërbime sezonale në bujqësi. Kompania ose punëdhënësi bujqësor (ose agjenti i autorizuar) mund të parashtrojë kërkesa për vizë “H-2A” nëse parashikojnë ndonjë mungesë të punëtorëve amerikanë për kryerjen e punës ose ofrimin e shërbimeve të përkohshme ose sezonale në bujqësi.

Vizat “H-2A” lëshohen për një periudhë një vjeçare dhe mund të zgjaten me deri në një vit (bartësit e vizave “H-2A” nuk mund të qëndrojnë për më shumë sesa 3 vjet). Pas 3 vjetësh, bartësi i vizës “H-2A” duhet të largohet nga vendi për të paktën 6 muaj.

Viza “H-2B” për qëndrim të përkohshëm

Aplikantët e vizës “H-2B” kanë të drejtë të zënë vende pune që janë sezonale, qo ndodhin një herë, punë kur është piku i ngarkesës ose punë me ndërprerje; periudha e punësimit duhet të jetë më pak sesa një vit. Krahas kësaj, nuk duhet të ketë asnjë qytetar amerikan ose punonjës me qëndrim të përhershëm të ligjshëm, që është i kualifikuar, që ka dëshirë ta kryejë atë punë ose që është i aftë për kryerjen e saj. Punonjësit e kualifikuar ose të pakualifikuar mund të punësohen duke përdorur vizën “H-2B”, ndërkohë që aktualisht kufizimi në numër është 66.000, i ndarë gjatë një periudhe një vjeçare (33.000 çdo 6 muaj).

Viza “H-3” për praktikantët

Aplikantët e vizës “H-3” kanë të drejtë të marrin në Shtetet e Bashkuara trajnime që nuk ofrohen në vendin e tyre të origjinës, në cilëndo fushë të përpjekjeve, me përjashtim të trajnimeve universitare në mjekësi. Bartësve të vizës “H-3” nuk iu lejohet të kenë qëllim të dyfishtë.
Punëdhënësi duhet të vërtetojë se puna që do të kryhet në kuadrin e trajnimit nuk është pjesë e operacioneve të zakonshme të biznesit, të cilat normalisht do të kryheshin nga punonjës amerikanë, dhe se kjo punë praktike nuk do të konsiderohet si punësim. Qëllimi i trajnimit të aplikantit duhet të jetë që ta mundësojë shtetasin e huaj të fitojë shkathtësi të cilat mund të përdoren për të përparuar në karrierë në vendin e tij të origjinës.

Viza “H-4”

Personat e varur të aplikantëve të vizave “H-1B” dhe “H-3” (bashkëshorti ose bashkëshortja dhe të gjithë fëmijët nën 21 vjeç).

Viza “J-1” për shkëmbime arsimore dhe kulturore

Aplikantët “J-1” hyjnë në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një program të miratuar arsimor, trajnues ose kulturor. Viza “J-1” mund të përdoret për të dhënë mësim, udhëzime, leksione; për të studiuar, vëzhguar, kryer hulumtime, zhvilluar konsultime, demonstruar shkathtësi të veçanta, ose për t’u trajnuar. Secili aplikant duhet të sponsorizohet nga një organizatë e caktuar nga Departamenti i Shtetit për sponsorizimin e vizitorëve me vizë “J-1” për qëllime shkëmbimi. Secila organizatë që sponsorizon aplikantët e vizës “J” do të ketë rregulla specifike të cilat përputhen me programin e tyre. Aplikanti i vizës “J-1” duhet të jetë i vetëdijshëm për kërkesën për qëndrim dyvjeçar jashtë vendit, i cili e detyron aplikantin të kthehet në vendin e origjinës për të paktën 2 vjet. Mund të bëhen përjashtime nga ky rregull, megjithatë, në varësi të situatës dhe vendit të origjinës, këto përjashtime mund të merren me vështirësi. Shpeshherë, klientët as që e dinë që i nënshtrohen kërkesës për qëndrim 2-vjeçar në vendin e tyre të origjinës. Ne u rekomandojmë gjithmonë aplikantëve të vizës “J” që ta verifikojnë këtë te kompania sponsorizuese, me qëllim që të sqarohen lidhur me përjashtimet nga rregullat.

Viza “L-1” për drejtuesit multinacional

Kategoria “L-1” zbatohet për të huajt që punojnë për një kompani që ka kompaninë amë, filialin ose degën në Shtetet e Bashkuara. Këta punonjës hyjnë në Shtetet e Bashkuara si të transferuar brenda kompanisë dhe kanë të drejtë të hyjnë përkohësisht me qëllim kryerjen e shërbimeve si menaxherë ose drejtues (L-1A) ose shërbime të cilat kanë të bëjnë me njohuri të specializuara (L-1B) për kompaninë amë, filialin ose degën e të njëjtit punëdhënës që e ka punësuar profesionistin jashtë vendit. Punonjësit i kërkohet të ketë qenë i punësuar jashtë vendit nga kompania e huaj (ose një filial ose degë e kësaj) me orar të plotë për të paktën një vit pa ndërprerje gjatë tri viteve të fundit, me qëllim që të kualifikohet për kategorinë e vizave “L”. Niveli i pagës nuk është parashikuar, megjithatë të ardhurat në SHBA duhet të jenë të mjaftojnë që i huaji të mos i bëhet barrë qeverisë. Periudha maksimale e pranimit për menaxherët dhe drejtorët është shtatë vjet, me një afat pesë vjeçar për kategorinë e personave me njohuri të specializuara. Pasi të marrë vizën “L”, aplikantit i lejohet të aplikojë për statusin e banorit të përhershëm, si menaxher i shumëkombësh i preferencës së parë.

Personat nën vartësi

Personat nën vartësi (bashkëshortja dhe fëmijët e pamartuar nën 21 vjeç) të punonjësve “L-1” kanë të drejtë për të fituar statusin “L-2”. Fëmijët e varur mund të jenë studentë në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që statusi i tyre mbetet “L-2”, dhe bashkëshortët ose bashkëshortet e varura mund të marrin një dokument për autorizim të punësimit, i cili iu mundëson atyre të punojnë në Shtetet e Bashkuara.

Aplikimi i gjithanshëm “L-1”

Kompanitë mund të transferojnë një numër të punonjësve të huaj me njoftim afatshkurtër, meqenëse rregulloret për peticionet e gjithanshme në kuadrin e vizave “L-1” u lejojnë të transferuarve brenda kompanive të aplikojnë drejtpërdrejt për vizë “L-1” në zyrat konsullore të SHBA-ve jashtë vendit, pa miratim paraprak të kërkesës individuale nga USCIS-i. Për t’u kualifikuar si aplikant i procesit të gjithanshëm “L-1”, aplikanti duhet të plotësojë këto kërkesa:

Aplikanti dhe secili prej personave kualifikues angazhohen në tregti fitimprurëse ose shërbime;
Aplikanti ka një zyrë në Shtetet e Bashkuara e cila ka kryer operacione afariste për një ose më shumë vjet;
Kërkuesi ka tri ose më shumë degë ose filiale brenda ose jashtë vendit; dhe

Aplikanti dhe organizata tjetër kualifikuese kanë marrë miratimin e aplikimeve për të paktën 10 menaxherë, drejtues, ose profesionistë me njohuri të specializuara, në nivelin “L” gjatë 12 muajve të mëparshëm; ose kompania e Shteteve të Bashkuara ka pasur shitje prej të paktën një milionë dollarësh; ose ka të paktën 1.000 punonjës amerikanë.

Qytetarët kanadezë mund të aplikojnë drejtpërdrejt në një portë hyrjeje “Class A” për statusin “L-1”, në bazë të peticionit të miratuar të gjithanshëm [blanket petition], duke paraqitur të njëjtat dokumente si ato që kërkohen për aplikimin në konsullatë.

Viza e përkohshme “O” për personat me aftësi të jashtëzakonshme

Vizat e përkohshme “O-1” iu vihen në dispozicion aplikantëve që kanë “aftësi të jashtëzakonshme” në fushën e shkencës, artit, arsimit, biznesit ose atletikës. Kjo kategori është mjaft e gjerë dhe mund të jetë e përshtatshme për një gamë të madhe aplikantësh të tillë si: hulumtues shkencorë për arritjet më të fundit, profesorë, drejtues të korporatave novatore, muzikantë të xhazit, instruktorë të xhudos, dizajner grafikë, drejtorë arti, artistë të serigrafisë, trajnerë gjimnastike dhe specialistë të softuerëve kompjuterikë – me kusht që aplikantët të demonstrojnë aftësitë e tyre të jashtëzakonshme në fushën e tyre përkatëse. Barra e provës bie mbi kërkuesin (aplikantin për vizën “O-1”), megjithatë mund të ketë shumë mënyra kreative për të vërtetuar aftësinë e jashtëzakonshme.

Individët që kërkojnë këtë lloj vize duhet të jenë në gjendje të demonstrojnë aftësinë e tyre të jashtëzakonshme me anë të dokumenteve që tregojnë arritjet e tyre të qëndrueshme në nivel kombëtar ose ndërkombëtar në fushën e tyre. Kërkesat për vizë “O-1” kanë normë më të lartë suksesi nëse përfituesi ka marrë ndonjë çmim kombëtar ose ndërkombëtar, ka një portofol me raporte mediatike lidhur me punën e tij, ka qenë autor i shkrimeve që janë publikuar, ka dhënë kontribute origjinale në fushën e tij, ka punuar për kompani, organizata ose është marrë me projekte me një reputacion të shquar, fiton pagë të lartë ose ka ndonjë arritje tjetër të njohur në fushën e tij.

Për t’u kualifikuar për vizën “O-1” në fushën e kinematografisë ose industrisë televizive, aplikanti duhet të demonstrojë arritje të jashtëzakonshme, të mbështetura me një shkallë shkathtësish dhe njohjeje që dukshëm është më e lartë sesa ato që ndeshen zakonisht, madje deri në atë shkallë saqë ky person njihet si i jashtëzakonshëm, i shquar, ose si lider në fushën e kinematografisë dhe/ose industrisë televizive. Gjithashtu, aplikanti për vizën “O” duhet të vijë në Shtetet e Bashkuara për të punuar në fushën ku ka shfaqur aftësi ose arritje të jashtëzakonshme.

Individët të cilët kualifikohen për vizën e përkohshme “O-1” zakonisht mund ta përmbushin standardin ligjor për klasifikimin korresponduesi si emigrantë: “EB-1” (aftësi e jashtëzakonshme).

Viza “P” për atletët dhe artistë

Aplikantët të cilët merren me atletik ose arte, kanë të drejtë të aplikojnë për vizën “P”.

Artistët shpeshherë janë pjesë e një grupi artistik, i cili duhet të jetë i njohur në nivel ndërkombëtar. Po ashtu, ekipet atletike ose atletët individualë duhet të jenë të njohur në nivel ndërkombëtar. Krahas kësaj, personelit kyç mbështetës si për artistët ashtu edhe për atletët, iu lëshohen viza “P-3”.

Viza “Q-1” për shkëmbime kulturore ndërkombëtare

Kjo vizë është për aplikantët që do të marrin pjesë në ndonjë program të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar. Viza “Q-1” i mundëson shtetasit të huaj të marrë pjesë në aftësim praktik dhe punësim që ka të bëjë me shkëmbimin e historisë, kulturës dhe traditave të vendit të tyre të origjinës. Kjo vizë lëshohet për një periudhë maksimale prej 15 muajsh. Periudha kohore përcaktohet nga gjatësia e programit.

Vizat “R” për ministrat (klerin) dhe punonjësit fetarë

Vizat “R-1” janë të disponueshme për punonjësit fetarë, të cilët do të punojnë për një organizatë fetare ose filial për jo më shumë sesa 5 vjet. Më pas, nëse aplikanti i vizës “R-1” qëndron jashtë Shteteve të Bashkuara për një vit të plotë, atëherë viza e tij “R-1” mund t’i zgjatet edhe për 5 vite të tjera.

Vizat “R-2” iu lëshohen bashkëshortëve ose bashkëshorteve dhe fëmijëve të bartësve të vizave joemigruese “R-1”. Si bartës të vizës “R-2”, atyre nuk iu lejohet të hyjnë në marrëdhënie pune.

Vizat “TN” (për Kanadanë/Meksikën)

Me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), shtetasve kanadezë dhe meksikanë iu jepet një opsion shtesë për vizë. Kriteri është që punonjësi duhet të angazhohet në “aktivitete të një niveli profesional”, për të cilat kërkohet diplomë “bachelor” ose kredenciale dhe përvojë që dëshmon se personi është profesionist. (Rregulloret qeveritare rendisin profesionet në lidhje me cilat aplikantët kanë të drejtë të aplikojnë për statusin “TN”)

Për shtetasit kanadezë, vizat “TN” mund të merren në portën e hyrjes. Ato nuk kufizohen nga limiti vjetor dhe mund të rinovohen pafundësisht. Bartësve të vizës “TN” nuk iu lejohet të kenë qëllim të dyfishtë.

Bashkëshortëve ose bashkëshorteve dhe fëmijëve të bartësve të vizës “TN” iu jepen viza “TD”. Bartësve të vizës “TD” nuk iu lejohet të hyjnë në marrëdhënie pune, por mund të ndjekin shkollën.

Programi i përjashtimit nga detyrimi për mbajtjen e vizës

Shtetasve të caktuar të disa vendeve iu lejohet të kryejnë deri në 90 ditë vizita, pa vizën “B-2”. Megjithatë, kur këta shtetas hyjnë në Shtetet e Bashkuara me anë të “Programit të përjashtimit nga detyrimi për mbajtjen e vizës”, mbi ta zbatohen kufizime të ashpra për sa i përket ndryshimit të statusit në Shtetet e Bashkuara.

Zyra qendrore:

Kontaktet: LawAPJ 65 Broadway, Suite 1603 NY 10006 New York TEL: +1 212 693-3355 / FAX: +1 212 430-6797 / E-MAIL: apjlaw@gmail.com

Thirrja telefonike:

Ju lutemi plotësoni këtë pyetësor të shkurtër dhe mund të jeni i sigurt se të gjitha informatat do të mbahen konfidenciale. Pyetësori mund të dërgohet me e-mail ose faks elektronik ose me faks +1 (212) 430-6797

Konsultimi personal:

Për konsulencë, ju lutemi telefononi zyrën tonë brenda orarit të punës. +1 (212) 693-3355